Fjala e Dekanit të Fakultetit të Filologjisë

Fakulteti i Filologjisë, njëra nga njësitë akademike të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, do të vazhdojë veprimtarinë mbi bazën e asaj që është bërë gjatë viteve të zhvillimit të tij, pa lënë anash dhe traditën paraprake.

Duke u nisur nga ajo që është krijuar deri më tani në Fakultetin tonë,  edhe në të ardhmen, punën do ta përqendrojmë në ato programe që e ngritin cilësinë e mësimit dhe pasurimin e aktiviteteve që janë pjesë e pandashme e jetës universitare. Do të kërkojmë e do të zbatojmë metoda e forma të përshtatshme që studentët të përgatitën në mënyrë sa më të mirë në përputhje me rrethanat e kohës, me mësimin cilësor dhe modern.

Kujdes të veçantë do t’i kushtojmë plotësimit të kuadrit akademik, pa të cilin nuk mund të mendohet procesi i mirëfilltë mësimor, pastaj kuadrit administrativ dhe rritjes së përgjegjësisë në punë.

Do të zgjerojmë bashkëpunimin me institucionet e tjera universitare, sidomos në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, po dhe me katedrat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në vende të ndryshme, veçmas me Universitetin e Kalabrisë dhe të Palermos.

Vëmendje të veçantë do t’u kushtojmë pasurimit të jetës kulturore dhe mbajtjes së takimeve me karakter mësimor e shkencor: të konferencave, të ligjëratave, të tryezave dhe të promovimeve të librave me vlerë.

Do të zotohemi të mbretërojë fryma e bashkëpunimit e mësimdhënësve ndërmjet veti, po dhe me studentë, që janë dy subjekte kryesore të bashkëveprimit.

Fakulteti i Filologjisë përherë do të jetë shtyllë e rëndësishme brenda UFAGJ-së që mëton t’i jetësojë përpjekjet atdhetare të profesor Fehmi Aganit, emrin e të cilit e mbajmë me devotshmëri, emër që na detyron për përkushtim të vazhdueshëm e për punë sa më frytdhënëse.

Synimet e këtilla dhe kontributet e përbashkëta për punë dhe qëllime të mira, do të sjellin arritjet përkatëse në shoqërinë tonë kosovare, po edhe më gjerë.

tp-bottom