Zv. Kryeministrja dhe Ministrja Gërvalla-Schwarz mban ligjëratë dhe bashkëbisedon me studentët e Universitetit ‘Fehmi Agani’ në Gjakovë
Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Znj. Donika Gërvalla-Schwarz sot ka vizituar Universitetin ‘Fehmi Agani’ në Gjakovë ku ka mbajtur ligjëratë dhe ka bashkëbiseduar me studentët e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë me temën ‘Kosova: Sfidat, mundësitë dhe vizioni për të ardhmen’.
Fillimisht Rektori Bunjaku, hapi takimin duke falënderoi Ministren Znj. Gërvalla që ka përzgjedhur të vizitoj Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) dhe të ndaj kohën e saj të çmuar për të bashkëbiseduar me studentët, stafin akademik dhe administrativ lidhur me një temë shumë aktuale dhe shumëdimensionale.
Në fjalimin e tij Rektori Bunjaku informoi lidhur me progresin, lartësimin e Universitetit dhe me të arriturat në fushën e ndërkombëtarizimit dhe rrjetëzimit të universitetit. Ndër tjerash, ai potencoi që UFAGj ka një vizion të qartë dhe mbetet i hapur për projekte të përbashkëta hulumtuese dhe zgjerim të rrjetëzimit në fushën ndërkombëtare duke përfshirë edhe diasporën shqiptare. Përkundër vizionit të qartë është më se e kuptueshme që të kemi sfida, mirëpo bashkërisht mund të i tejkalojmë ato duke i shndërruar në mundësi dhe bashkërisht të shënojmë suksese dhe progres edhe më të madh, ndër të tjerash nënvizoi Rektori Bunjaku.
Më pas, Ministrja Gërvalla mbajti ligjëratë lidhur me sfidat e përgjithshme, sidomos në fushën e punëve të jashtme dhe integrimin e diasporës, të arriturat dhe vizionin e MPJD në lidhje me temat e përgjithshme dhe ndërlidhjen e saj në arsimin e lartë.
Pas ligjëratës vazhduan bashkëbisedimet me Ministren, ku studentët, stafi akademik dhe administrativ, patën mundësi të parashtrojnë pyetje dhe diskutojnë nga afër lidhur me sfidat, mundësitë dhe vizionin e studentëve për çështjet të cilat lidhen me MPJD.
Në fund të diskutimit, Ministrja këshilloi të gjitha vajzat dhe gratë që të jenë zë i fuqishëm, avokues në vendimmarrje dhe politikëbërje, si dhe të vazhdojnë të arsimohen e të shënojnë progres në sferat që ato kanë përzgjedhur.
Vizita dhe bashkëbisedimi i Zv. Kryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës Znj. Donika Gërvalla-Schwarz u cilësua shumë lartë nga studentët dhe nga të gjithë të pranishmit.