KOMANDANTI I KFOR-IT LORENZO MANGIA VIZITON UNIVERSITETIN "FEHMI AGANI" NË GJAKOVË

KOMANDANTI I KFOR-IT LORENZO MANGIA VIZITON UNIVERSITETIN "FEHMI AGANI" NË GJAKOVË

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mirëpriti sot kolonelin italian të Forcës Paqeruajtëse të KFOR-it për Regjionin Perëndimor, kolonel Lorenzo Mangia, dhe delegacionin e tij në një vizitë zyrtare me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe diskutimin e iniciativave të përbashkëta që lidhen me sigurinë, edukimin dhe angazhimin qytetar.

Gjatë takimit, Rektori i UFAGJ-së, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, falënderoi përfaqësuesin e KFOR-it për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në fushën e sigurisë në mbarë Republikën e Kosovës, me theks të posaçëm në Regjionin Perëndimor. Njëherit, ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e KFOR-it italian ndaj Fakultetit të Filologjisë të UFAGJ-së, përmes pajisjeve teknike të dhuruara për Laboratorin e Përkthimit dhe Interpretimit.

Rektori Bunjaku gjithashtu e informoi kolonelin Mangia për mbështetjet dhe bashkëpunimet e shkëlqyera që universiteti ka pasur në të kaluarën me ish-komandantët e KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së tyre. Ai konfirmoi se, në emër të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, institucioni mbetet i gatshëm të vazhdojë këtë bashkëpunim dhe të kontribuojë në zhvillimin e vendit dhe shoqërisë në partneritet me KFOR-in. Universiteti “Fehmi Agani” mbetet i përkushtuar të shërbejë si partner strategjik i KFOR-it në nisma që forcojnë sigurinë, edukimin dhe zhvillimin komunitar. Vizita u cilësua si hap i rëndësishëm për zhvillimin e projekteve konkrete të përbashkëta, duke kombinuar ekspertizën akademike me përvojën praktike të KFOR-it.

Nga ana tjetër, koloneli italian Lorenzo Mangia vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet akademike për të promovuar sigurinë kolektive dhe edukimin qytetar. Ai theksoi se projektet dhe iniciativat e përbashkëta në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, turizmit dhe sektorëve të tjerë do të bashkonin institucionet lokale dhe akademike në promovimin e vlerave dhe kulturës së këtij regjioni.

Në fund të vizitës, u këmbyen dhurata kurtoazie dhe u realizuan foto të përbashkëta, duke e përmbyllur takimin në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese.

Article Gallery

tp-bottom