UFAGJ organizon trajnim për përdorimin etik dhe të përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale në arsimin e lartë

UFAGJ organizon trajnim për përdorimin etik dhe të përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale në arsimin e lartë

Në kuadër të aktiviteteve për zhvillimin profesional të stafit, Qendra Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ), në bashkëpunim me Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”, organizon trajnimin “Përdorimi Etik i Inteligjencës Artificiale Gjenerative në Arsimin e Lartë”.

Trajnimi u dedikohet stafit akademik dhe administrativ të UFAGJ-së dhe do të zhvillohet në formë praktike dhe punëtorie, përmes shembujve dhe ushtrimeve të përshtatura me kontekstin universitar.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të mësojnë:

  • si të përdorin Inteligjencën Artificiale në përgatitjen e materialeve mësimore dhe në kërkimin shkencor;

  • si të formulojnë prompts më efektive dhe të marrin rezultate më të dobishme;

  • si të verifikojnë saktësinë, burimet dhe besueshmërinë e përmbajtjeve të gjeneruara nga AI;

  • cilat të dhëna nuk duhet të ndahen me platformat publike të Inteligjencës Artificiale;

  • si të përdorin mjete si ChatGPT, Gemini dhe platforma të ngjashme në mënyrë të përgjegjshme dhe profesionale.

Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet integritetit akademik, privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave të studentëve dhe institucionit, transparencës në përdorimin e AI-së dhe paragjykimeve algoritmike, si dhe dallimit ndërmjet përdorimeve të pranueshme dhe të papranueshme të AI-së në mësimdhënie, vlerësim dhe administratë.

Përmes ushtrimeve dhe shembujve praktikë nga jeta universitare, pjesëmarrësit do të kenë mundësi t'i provojnë drejtpërdrejt disa nga mjetet dhe teknikat e prezantuara gjatë trajnimit.

Të dhënat e trajnimit:

Data: 5 tetor 2026 (e hënë)
Ora: 10:00–12:00
Lokacioni: Salla Zero, Objekti i Katër Fakulteteve

Dy orë për të kuptuar jo vetëm çfarë mund të bëjë Inteligjenca Artificiale, por edhe si ta përdorim atë me përgjegjësi, transparencë dhe gjykim profesional.

Ju mirëpresim!