Fakulteti i Filologjisë zhvilloi takim pune me Agjencinë e Kosovës për Akreditim
Dekani dhe bartësit e programeve të Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të Fakultetit të Filologjisë, më 9 korrik 2026, zhvilluan një takim pune me përfaqësues të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), me qëllim të informimit lidhur me procesin e akreditimit të programeve studimore, si dhe të shqyrtimit të mundësive për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Gjatë takimit u diskutuan çështje me rëndësi që kanë të bëjnë me programet studimore të cilat Fakulteti i Filologjisë planifikon t'i paraqesë për akreditim, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët. Në veçanti, u shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit dhe koordinimit në realizimin e nismave dhe projekteve që kontribuojnë në avancimin e arsimit të lartë dhe në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, z. Naim Gashi, theksoi se AKA mbetet një institucion i hapur dhe i gatshëm të mbështesë iniciativa, projekte dhe programe që synojnë ngritjen e kapaciteteve të studentëve, zhvillimin e kompetencave të tyre dhe rritjen e kontributit të tyre në komunitet.
Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive, ndërsa të dyja palët shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dhe u pajtuan që takime të tilla të organizohen edhe në të ardhmen.