Departamenti i Gjuhës Angleze – Përkthim dhe Interpretim organizon takim me alumni

Departamenti i Gjuhës Angleze – Përkthim dhe Interpretim organizon takim me alumni

Departamenti i Gjuhës Angleze – Përkthim dhe Interpretim, në kuadër të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, organizoi një takim online me alumni të programit më 29.10.2026 me qëllim të shkëmbimit të përvojave profesionale, diskutimit të sfidave me të cilat përballen të diplomuarit në tregun e punës dhe identifikimit të mundësive për avancimin e mëtejshëm të programit të studimit.

Takimi u organizua nga shefja e Departamentit, prof. Mejreme Ymeri, dhe bartësja e programit, prof. Elsa Vula.

Gjatë takimit, alumni ndanë përvojat e tyre nga rrugëtimi profesional pas përfundimit të studimeve, duke vënë në pah sfidat dhe kërkesat e tregut të punës në fushën e gjuhës angleze, përkthimit dhe interpretimit. Diskutimet u përqendruan veçanërisht në nevojën për përgatitje më të avancuar profesionale dhe në rëndësinë e harmonizimit të përmbajtjes së programit me kërkesat aktuale të tregut të punës.

Një ndër çështjet kryesore të trajtuara ishte nevoja për hapjen e një programi të studimeve Master në Fakultetin e Filologjisë, i cili do t'u mundësonte të diplomuarve të vazhdojnë avancimin akademik dhe profesional në fushën e gjuhës angleze, përkthimit dhe interpretimit.

Po ashtu, një vëmendje e veçantë iu kushtua organizimit të praktikës profesionale. Alumni theksuan rëndësinë që praktika të fillojë që nga viti i parë i studimeve dhe të zhvillohet në mënyrë progresive, të strukturuar dhe të koordinuar me institucionet dhe organizatat përkatëse. Sipas tyre, një qasje e tillë do t'u mundësonte studentëve të fitojnë përvojë praktike që në fazat e hershme të studimeve, të zhvillojnë shkathtësitë profesionale dhe të përgatiten më mirë për integrimin në tregun e punës.

Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi e rëndësishme për të mbledhur rekomandime konkrete nga të diplomuarit, të cilat do të kontribuojnë në procesin e vlerësimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të programit të studimit.

Departamenti i Gjuhës Angleze – Përkthim dhe Interpretim vlerëson lart kontributin dhe përfshirjen e alumni-ve, duke e konsideruar bashkëpunimin me ta si një element të rëndësishëm në sigurimin e cilësisë, zhvillimin e programeve akademike dhe forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe tregut të punës.

Fotot e lajmit