Inaugurohet donacioni i RC West KFOR për Laboratorin e Përkthimit Simultan Gjuhësor në Universitetin "Fehmi Agani" në Gjakovë

Inaugurohet donacioni i RC West KFOR për Laboratorin e Përkthimit Simultan Gjuhësor në Universitetin "Fehmi Agani" në Gjakovë

Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë ka shënuar një moment të rëndësishëm për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve të tij, me rastin e inaugurimit të donacionit të dhuruar nga Komanda Rajonale Perëndimore e KFOR-it, dedikuar për mbështetjen e Laboratorit Profesional të Interpretimit Gjuhësor në kuadër të Fakultetit të Filologjisë.

Ky investim i rëndësishëm ofron një mundësi të jashtëzakonshme për studentët e programit të studimit “Gjuhë angleze – përkthim dhe interpretim”, duke u mundësuar atyre të simulojnë përkthime simultane profesionale me pajisje moderne dhe të standardeve ndërkombëtare. Kjo iniciativë do të lartësojë cilësinë në përgatitjen e kuadrove të reja në fushën e gjuhësisë dhe përkthimit simultan.

Donacioni është rezultat i përkushtimit të përbashkët të Rektorit të Universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, dhe Prorektres për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Ass. Dr. Nazli Tyfekçi. Për më shumë se një vit janë zhvilluar takime të njëpasnjëshme me përfaqësues të KFOR-it, duke adresuar në mënyrë të qartë nevojën për një laborator profesional. Ky bashkëpunim gjithashtu ka hapur rrugën që, në një të ardhme të afërt, të fillojë ligjërimi edhe i gjuhës italiane në UFAGJ.

Në emër të Universitetit, Rektori Bunjaku shprehu falënderime të veçanta për Komandantin Francesco Errico dhe të gjithë anëtarët e RC West që kontribuuan në realizimin e këtij donacioni infrastrukturor. Ai theksoi se përkrahja e KFOR-it, përveç misionit të tij për paqe dhe stabilitet në Kosovë, po luan një rol të rëndësishëm edhe në zhvillimin arsimor të vendit. Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë është njëri nga universitetet e vetme në Kosovë që ka një laborator profesional për përkthim simultan.

Nga ana tjetër, Komandanti Errico u shpreh i lumtur dhe krenar për mundësinë që t’i kontribuojë përgatitjes profesionale të studentëve. "Jam i kënaqur dhe i lumtur që ky donacion sot po merr formë. Uroj që studentët ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë laborator në ndërtimin e karrierës së tyre profesionale", tha ai.

Në këtë ngjarje morën pjesë: Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje për studentë Prof. Ass. Dr. Dafinë Kaçuri, Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Prof. Asoc. Dr. Labinot Berisha, Prodekani, Prof. Ass. Dr. Senad Neziri, si dhe një pjesë e stafit akademik, të cilët e mirëpritën këtë donacion dhe e vlerësuan si një hap të rëndësishëm për avancimin e mëtutjeshëm të cilësisë akademike në universitetin tonë.

Fotot e lajmit

tp-bottom