Gjuhë Shqipe Master
Misioni i programit Master i Gjuhës Shqipe është aftësimi i studentëve dhe përgatitja e tyre shkencore e profesionale në fushën e gjuhësisë, të cilët me njohuritë e tyre do të jenë në gjendje të kontribuojnë në sektorin publik apo privat të vendit, në përputhje me standardet bashkëkohore. Studentët e këtij programi master do të jenë përgjegjës në realizimin e detyrave, kompetencave dhe shërbimeve të tjera me të cilat do të ballafaqohen në të ardhmen. Ndërlidhja me tregun e punës tregon se ky program është i bazuar në misionin e institucionit tonë dhe se ofron shërbime efikase dhe cilësore për studentë, relevante me tregun e punës dhe zhvillimin shoqëror, si dhe krijon mjedis të përshtatshëm për të ushtruar punën shkencore dhe praktike të studimeve në fjalë. Të diplomuarit në Fakultetin e Filologjisë, përkatësisht në programin master, fitojnë njohuri dhe kompetenca nga lëndët e përgjithshme gjuhësore, teorike, praktike dhe metodologji të hulumtimit. Këto kompetenca përfshijnë: njohuri akademike për lëndët e tyre përkatëse, reflektim dhe aftësim praktik të nevojshëm për zgjidhjen e problemeve gjuhësore. Orientimi i programit të studimit sipas parimeve udhëheqëse të Fakultetit të Filologjisë në UFAGJ mbështetet në qëllimet e MASHTI-it për rritjen e pjesëmarrjes të gjeneratave të reja në arsimin e lartë. Fakulteti i Filologjisë përmes programit Master i Gjuhës Shqipe synon të shndërrohet në qendër bashkëkohore të edukimit universitar dhe trajnimit për përgatitjen e kuadrove në fushën e gjuhësisë. Programi kontribuon drejtpërdrejt në aftësimin e studentëve në punë kërkimore-shkencore.
Rezultatet e të nxënit të programit Master i Gjuhës Shqipe:
- njohin një gamë të gjerë teorish tradicionale e moderne gjuhësore;
- kuptojnë dhe hulumtojnë nocione të reja, terminologji dhe drejtime të ndryshme gjuhësore, duke përfshirë edhe strukturën e gjuhës shqipe;
- zhvillojnë aftësitë, teknikat praktike dhe akademike për hulumtime të mëtejshme në studime gjuhësore;
- identifikojnë rrugët e mirëfillta shkencore në shtrimin e problematikave gjuhësore dhe trajtimin e këtyre problematikave;
- ushtrojnë dhe aftësohen në përdorimin e IT-së për nevojat e gjuhës;
- analizojnë dhe zbatojnë gjetjet e hulumtimeve përgjatë kërkimeve studimore;
- krahasojnë qasje dhe qendrime të autorëve të ndryshëm kundrejt çështjeve të caktuara teoriko-praktike të shqipes, si dhe të shqipes me gjuhët e tjera;
- ndërmarrin hapa në pavarësimin si hulumtues e studiues të rinj e me qasje kritike të shëndoshë;
- propozojnë për diskutim çështje, që lidhen me planifikimet gjuhësore të shqipes në kohët e sotme;
- zbatojnë njohuritë dhe shkathtëstë e fituara në punën e tyre të ardhshme hulumtuese-shkencore (studime të mëtejme të doktoraturës, punë kërkimore-shkencore në universitete e institute shkencore, korrektorë gjuhësorë, medie, etj.).