Fjala e Dekanit

Fakulteti i Filologjisë, si një nga njësitë themelore akademike të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, mbështetet mbi një traditë të çmuar akademike dhe kulturore, e ndërtuar me përkushtim nga breza të tërë profesorësh, studiuesish dhe studentësh. Duke nderuar këtë trashëgimi dhe duke u mbështetur në arritjet e deritanishme, synimi ynë është që Fakulteti të vazhdojë rrugën e zhvillimit dhe të afirmimit si një vatër e rëndësishme e dijes, e kërkimit shkencor dhe e formimit profesional.

Në një kohë të ndryshimeve të shpejta shoqërore, teknologjike etj., detyrimi ynë është që të ofrojmë arsim cilësor, bashkëkohor dhe të krahasueshëm me standardet më të mira evropiane. Për këtë arsye, do të angazhohemi vazhdimisht në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe të mësimnxënies, duke promovuar metoda moderne të punës, përdorimin e teknologjive të reja dhe krijimin e një mjedisi akademik që nxit mendimin kritik, kreativitetin dhe zhvillimin intelektual të studentëve.

Një nga përparësitë kryesore të Fakultetit do të jetë ngritja e vazhdueshme e programeve studimore përmes proceseve të rregullta të vlerësimit, akreditimit dhe riakreditimit. Krahas ruajtjes së cilësisë së programeve ekzistuese, do të punojmë për zhvillimin e programeve të reja studimore që i përgjigjen nevojave të kohës, të trendeve bashkëkohore akademike dhe kërkesave të tregut të punës. Fakulteti ynë duhet të jetë një institucion që jo vetëm përcjell dije, por edhe përgatit profesionistë të aftë për t’u përballur me kërkesat e së tashmes dhe të ardhmes.

Do të mbështesim zhvillimin profesional dhe shkencor të mësimdhënësve, ngritjen e kapaciteteve kërkimore dhe forcimin e kulturës së përgjegjësisë, qartësisë dhe profesionalizmit në çdo segment të veprimtarisë sonë.

Në vizionin tonë, Fakulteti i Filologjisë duhet të jetë një institucion i hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndërkombëtarizimit. Për këtë arsye, do ta thellojmë bashkëpunimin me universitete dhe institucione akademike brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht me ato që kanë profile të ngjashme mësimore dhe studimore. Bashkëpunimi me universitetet në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe me qendrat universitare ku studiohet dhe promovohet gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare, do të mbetet një përparësi e rëndësishme.

Njëkohësisht, do të punojmë për krijimin e mundësive konkrete për programe të përbashkëta studimi në nivelin master dhe doktoratë, duke i zgjeruar hapësirat për mobilitet akademik, shkëmbim përvojash dhe projekte të përbashkëta kërkimore. Këto iniciativa jo vetëm që do të rrisin cilësinë akademike të Fakultetit, por do të krijojnë mundësi të reja zhvillimi për studentët dhe kuadrin tonë.

Studentët do të vazhdojnë të jenë në qendër të çdo angazhimi tonë. Synimi ynë është të ndërtojmë një marrëdhënie të bazuar në dialog, nderim dhe bashkëpunim të ndërsjellë, duke i përfshirë ata në mënyrë aktive në jetën akademike, shkencore dhe kulturore të Fakultetit. Do të mbështesim nismat e tyre, pjesëmarrjen në konferenca, në projekte kërkimore, në programe mobiliteti dhe në aktivitete të tjera që kontribuojnë në formimin e tyre akademik dhe profesional.

Po ashtu, do të vazhdojmë të promovojmë veprimtarinë shkencore dhe kulturore të Fakultetit përmes organizimit të konferencave, simpoziumeve, tryezave shkencore, ligjëratave tematike dhe promovimeve të botimeve me vlerë. Besojmë se universiteti është jo vetëm vend i mësimit, por edhe hapësirë e dialogut, e ideve dhe e krijimit të vlerave të qëndrueshme për shoqërinë.

Fakulteti i Filologjisë do të vazhdojë të jetë një shtyllë e rëndësishme e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, duke i ruajtur dhe zhvilluar vlerat që lidhen me emrin dhe veprën e profesor Fehmi Aganit. Ky emër na detyron të punojmë me përkushtim dhe përgjegjësi, në shërbim të dijes, arsimit dhe zhvillimit të shoqërisë sonë.

Jam i bindur se, me angazhimin e përbashkët të kuadrit akademikë, të studentëve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve tanë, do të arrijmë ta bëjmë Fakultetin e Filologjisë një institucion edhe më të fuqishëm, më cilësor dhe më të afirmuar në hapësirën akademike kombëtare dhe ndërkombëtare.

tp-bottom