Avancimi i kompetencave ne interpretimin simultan
Studentët e vitit të dytë të programit Përkthim dhe Interpretim në Departamentin e Gjuhës Angleze, në kuadër të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, janë të angazhuar në zhvillimin e ligjëratave praktike në lëndën “Interpretimi II”, me theks të veçantë në përdorimin e kabinave profesionale për përkthim simultan.
Në kuadër të kësaj lënde, studentët avancojnë kompetencat e tyre në interpretimin simultan, duke ushtruar përkthimin në kohë reale nga anglishtja në shqip dhe anasjelltas. Procesi mësimor zhvillohet në Laboratorin e Përkthimit dhe Interpretimit, ku shfrytëzimi i kabinave të specializuara u mundëson studentëve të punojnë në kushte që reflektojnë standardet e interpretimit konferencial. Kjo përfshin përdorimin e pajisjeve profesionale për dëgjim dhe transmetim, duke i ekspozuar ata ndaj sfidave konkrete të përpunimit të informacionit dhe prodhimit të menjëhershëm të diskursit të përkthyer.
Përmes kësaj qasjeje praktike, studentët zhvillojnë aftësi të avancuara në menaxhimin e kohës, përqendrimin, dëgjimin selektiv dhe koordinimin ndërmjet të kuptuarit dhe të shprehurit. Shfrytëzimi i kabinave për përkthim kontribuon në krijimin e një mjedisi autentik mësimor, duke mundësuar integrimin e njohurive teorike me praktikën profesionale dhe duke i përgatitur studentët për angazhime reale në fushën e interpretimit simultan.