Përfundon me sukses pilotimi i parë i mësimit të kombinuar në hapësirën e re EU-Hub në Universitetin "Fehmi Agani" në Gjakovë nga Prof. Ass. Dr. Nazli Tyfekçi
Në kuadër të projektit BEWBU (Blended Education in Western Balkans Universities), Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt transformimit digjital me zbatimin me sukses të lëndës së parë pilot në hapësirën e porsaformuar EU-Hub. Kjo e fundit, e krijuar posaçërisht për modernizimin e infrastrukturës arsimore në arsimin e lartë, është e pajisur me teknologjinë dhe softuerët më të fundit për të mbështetur një ambient mësimor interaktiv, dinamik dhe fleksibil.
Mësimi u zhvillua nga profesoresha Nazli Tyfekçi gjatë ligjërimit të lëndës "Listening Skills" me studentët e vitit të parë të nivelit Bachelor në programin Gjuhë Angleze- Përkthim dhe Interpretim. Përmbajtja e lëndës u mbështet plotësisht në një sillabus bashkëkohor të hartuar gjatë punëtorive të projektit BEWBU, duke ndërthurur ligjëratat e drejtpërdrejta në sallë, seancat online sinkronike dhe punën e pavarur të studentëve (asinkronike).
Gjatë të gjithë semestrit, konceptet mësimore u ndërthurën natyrshëm me mjete digjitale dhe pajisje teknologjike interaktive. Salla EU-Hub ka një sistem me dy videoprojektorë dhe një Smartboard qendror për të ofruar vizualizim të vazhdueshëm të materialeve, analizave audio dhe përmbajtjeve multimediale. Paralelisht, platformat si Nearpod mundësuan tabela bashkëpunuese në kohë reale dhe kuize të shpejta, të cilat u plotësuan nga Google Classroom dhe mjete të inteligjencës artificiale si NotebookLM për organizimin e detyrave. Për të nxitur diskutimin dhe pjesëmarrjen aktive, u përdor mikrofoni me valë Catchbox, i cili i dha mundësi studentëve të incizojnë përgjigjet e tyre gjatë debateve dhe më pas të dëgjojnë e analizojnë vetë shqiptimin, tonin dhe mënyrën e të shprehurit.
Rezultatet e këtij pilotimi ishin mbresëlënëse si në angazhimin e studentëve, ashtu edhe në arritjet e tyre akademike. Struktura e ligjëratave në blloqe 4-orëshe u mundësoi studentëve që njohuritë teorike t'i zbatonin menjëherë në praktikë. Procesi mësimor u shqua nga një nivel i lartë kënaqësie dhe motivimi akademik midis studentëve, gjë që u pasqyrua në përkushtimin e tyre të shtuar dhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm për realizimin e projekteve të përbashkëta edhe jashtë orarit të rregullt të ligjëratave. Mjaft domethënës ishte fakti se, përkundër ndarjes fizike ndërmjet studentëve që ndiqnin mësimin online dhe atyre në sallë, procesi u zhvillua me sinkronizim të plotë dhe interaktivitet të lartë gjatë të gjitha aktiviteteve.
Ky pilotim shërben si një shembull i shkëlqyer i përkushtimit të vazhdueshëm të Universitetit "Fehmi Agani" për të ngritur cilësinë dhe standardet në arsimin e lartë. Universiteti mbetet i vendosur të hulumtojë dhe të zbatojë metodologjitë më të mira bashkëkohore që u përgjigjen nevojave reale të studentëve. Përmes kombinimit të pjesëmarrjes aktive të studentëve, pedagogjisë digjitale, standardeve të larta të sigurimit të cilësisë dhe infrastrukturës moderne, universiteti vazhdon të krijojë një mjedis arsimor ku studenti është gjithmonë në qendër të vëmendjes.