U mbajt Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Çështje të Gjuhës, Letërsisë dhe Përkthimit Letrar”

U mbajt Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Çështje të Gjuhës, Letërsisë dhe Përkthimit Letrar”

Në Fakultetin e Filologjisë, të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, më 29 shtator 2025, ka zhvilluar me suksese punimet Konferenca e Tretë Shkencore Ndërkombëtare “Çështje të Gjuhës, Letërsisë dhe Përkthimit Letrar”. Konferenca është organizuar në bashkëpunim me institucionet partnere: Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universitetin e Tiranës, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin e Tetovës “Fadil Sulejmani”, Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Në fjalën përshëndetëse, rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, prof. ass. dr. Drilon Bunjaku dhe dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Labinot Berisha (si nikoqir i konferencës) vunë në pah rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla shkencore në universitetin tonë dhe theksuan nevojën për përdorimin e gjuhës standarde shqipe në institucionet e larta shtetërore.

Konferenca zhvilloi punimet në tri sesione shkencore:

Gjuhësi – Shqipja përballë sfidave të globalizmit gjuhësor;

Letërsi – Letërsia shqipe e shek. XX;

Përkthim – Qasje bashkëkohore mbi përkthimin letrar;

Rreth 55 pjesëmarrës, përmes kumtesave të tyre dhanë kontribut të vyer në pasurimin e mendimit dhe forcimin e rolit që gjuha, letërsia dhe përkthimi kanë në ndërtimin e identitetit kulturor dhe në komunikimin ndërkombëtar.

Në fund, dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Labinot Berisha dhe drejtori i konferencës, prof. ass. dr. Petrit Duraj ndanë mirënjohje për një varg personalitetesh me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në themelimin, zhvillimin dhe mbarëvatjen e konferencës Çështje të gjuhës, letërsisë dhe përkthimit letrar.”

Gjithashtu, të gjithë pjesëmarrësit që u paraqitën me kumtesa u shpërblyen me certifikata për pjesëmarrje. 

Fotot e lajmit

tp-bottom