Ligjëratë e Profesor Sazan Kryeziut në Universitetin e Arizonës (SHBA)

Ligjëratë e Profesor Sazan Kryeziut në Universitetin e Arizonës (SHBA)

Me ftesë të Departamentit të Gjuhësisë të Universitetit të Arizonës në Tucson, SHBA, profesor Sazan Kryeziu mbajti një ligjëratë online para studentëve të nivelit master nga drejtimet e gjuhësisë, psikologjisë dhe filozofisë të këtij universiteti të njohur.

Ligjërata u fokusua në temën: “Filozofia e Gjuhës dhe Fenomenologjia” ku u shqyrtua origjina dhe natyra e gjuhës si përvojë që na lidh me botën dhe me tjetrin – përtej funksioneve të saj komunikuese dhe strukturore. U theksua se gjuha është hapësirë e përbashkët ku ndodh kuptimi, dialogu dhe përfshirja e njeriut në botë, si dhe burimi nga i cili njeriu, si qenie interpretuese, ndërton raportin me realitetin dhe tjetrin.

Duke u mbështetur në mendimin filozofik të përfaqësuesve më të njohur të fenomenologjisë: Edmund Husserl, Maurice Merleau-Ponty dhe Martin Heidegger, profesor Kryeziu diskutoi mbi mënyrën se si gjuha strukturon përvojën dhe vetëdijen tonë, si dhe foli për humbjen e vlerës përjetuese dhe kuptimore të gjuhës në kohët bashkëkohore, ku ajo shpesh reduktohet në instrument teknik apo mjet informacioni.

Ligjërata u prit me interesim të madh nga studentët dhe stafi akademik, duke hapur një diskutim të frytshëm mbi natyrën transcendentale dhe ekzistenciale të gjuhës.

Ky bashkëpunim ndërkombëtar thekson përkushtimin tonë për ndërkombëtarizimin e veprimtarisë akademike dhe përfaqësimin e universitetit tonë në skenën globale të dijes.

Fotot e lajmit

tp-bottom