Pas procesit të monitorimit nga zyrtarët e Agjencisë së Akredimit të Kosovës vlerësohet lart përmbushja e standardeve për programin Gjuhë Shqipe (MA)
Më datën 5 maj 2026, Fakulteti i Filologjisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë mirëpriti ekipin monitorues të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), në kuadër të procesit të monitorimit të programeve të akredituara. Pjesë e monitorimit ishte edhe programi i studimit Gjuhë Shqipe (MA), i akredituar për periudhën 1 tetor 2024 – 30 shtator 2029. Procesi i monitorimit u zhvillua në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi të AKA-së, me qëllim të verifikimit të përmbushjes së vazhdueshme të standardeve të akreditimit dhe të cilësisë në zbatimin e programit.
Gjatë vizitës, ekipi monitorues shqyrtoi dokumentacionin përkatës, ndoqi procesin mësimor, vizitoi hapësirat mësimore dhe zhvilloi takime me menaxhmentin e fakultetit. Po ashtu, u zhvilluan biseda me studentët, të cilët shprehën kënaqëshmërinë e tyre lidhur me kushtet e studimit, infrastrukturën, stafin akademik dhe literaturën në dispozicion.
Në raportin përfundimtar të monitorimit konstatohet se plani i programi Gjuhë Shqipe (MA) zbatohet në përputhje me vendimin e akreditimit dhe se nuk janë bërë ndryshime te bartësit e programit. Gjithashtu, vlerësohet se procesi mësimor zhvillohet në përgjithësi sipas orarit të publikuar, ndërsa rastet e ndryshimeve të arsyetuara menaxhohen përmes riorganizimit të ligjëratave dhe njoftimit me kohë të studentëve.
Raporti evidenton gjithashtu praktikën e fakultetit për sigurimin e cilësisë, përmes analizimit të pyetësorëve të studentëve, hartimit dhe zbatimit të planeve të veprimit, si dhe organizimit të takimeve të rregullta me alumni.
Ky rezultat konfirmon përkushtimin e Fakultetit të Filologjisë dhe të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë për ruajtjen dhe avancimin e standardeve të cilësisë në arsimin e lartë, duke ofruar një program studimi që përmbush kërkesat e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe nevojat akademike të studentëve.