Programi i Gjuhës Angleze – Përkthim dhe Interpretim kalon me sukses procesin e monitorimit nga Agjencia e Kosovës për Akreditim

Programi i Gjuhës Angleze – Përkthim dhe Interpretim kalon me sukses procesin e monitorimit nga Agjencia e Kosovës për Akreditim

Programi Gjuhë Angleze – Përkthim dhe Interpretim (BA) në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë ka përfunduar me sukses procesin e monitorimit të zhvilluar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA). Monitorimi u realizua më 5 maj 2026, në kuadër të procedurave të rregullta për verifikimin e përmbushjes së standardeve të akreditimit dhe sigurimit të vazhdueshëm të cilësisë në arsimin e lartë.

Gjatë vizitës monitoruese, ekipi i AKA-së zhvilloi takime me menaxhmentin e Fakultetit të Filologjisë, monitoroi procesin mësimor, vizitoi hapësirat dhe infrastrukturën e programit, si dhe zhvilloi diskutime me studentët. Vëmendje e veçantë iu kushtua cilësisë së mësimdhënies, organizimit të programit, angazhimit të stafit akademik, kushteve të studimit dhe përmbushjes së standardeve të akreditimit.

Në raportin përfundimtar, Agjencia e Kosovës për Akreditim vlerëson se Programi Gjuhë Angleze – Përkthim dhe Interpretim zhvillohet në përputhje me standardet e akreditimit dhe dëshmon përkushtim të vazhdueshëm në ofrimin e arsimit cilësor. Gjatë procesit të monitorimit u evidentua funksionimi i mirë i programit, cilësia e procesit mësimor, angazhimi profesional i bartësve të programit dhe i personelit akademik, si dhe infrastruktura mbështetëse që mundëson zhvillimin e suksesshëm të mësimdhënies. Studentët shprehën kënaqësinë e tyre me kushtet e studimit, stafin akademik dhe literaturën në dispozicion, duke konfirmuar cilësinë dhe standardet e larta të programit.

Ky vlerësim pozitiv dëshmon angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të bartësve të Programit Gjuhë Angleze – Përkthim dhe Interpretim, personelit akademik të programit, si dhe të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë për ruajtjen dhe avancimin e cilësisë në mësimdhënie, kërkim dhe zhvillimin e programeve studimore. Rezultatet e monitorimit konfirmojnë përkushtimin institucional për përmbushjen e standardeve më të larta të arsimit të lartë dhe fuqizojnë më tej pozitën e Programit Gjuhë Angleze – Përkthim dhe Interpretim si një program akademik cilësor, bashkëkohor dhe i orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve kompetentë në fushën e përkthimit, interpretimit dhe studimeve të gjuhës angleze.

tp-bottom