Fakulteti i Filologjisë mirëpret pjesëmarrësen e Programit Fulbright
Në kuadër të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar, shkëmbimit kulturor dhe përkushtimit për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë organizoi aktivitetin “Welcoming Fulbright Students”, kushtuar studentëve dhe studiuesve pjesëmarrës në Programin Fulbright.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Shefja e Departamentit të Gjuhës Angleze, prof. Mejreme Ymeri, e cila përfaqësoi Fakultetin e Filologjisë dhe Departamentin e Gjuhës Angleze.
Fakulteti i Filologjisë mirëpret me kënaqësi angazhimin e studentes Effi Jacobsen, pjesëmarrëse në Programin Fulbright, e cila do të jetë e angazhuar në Departamentin e Gjuhës Angleze, në kuadër të Programit të Përkthimit dhe Interpretimit. Gjatë qëndrimit të saj, ajo do të zhvillojë orë mësimore, ligjërata dhe aktivitete të tjera akademike, duke sjellë në mjedisin universitar përvoja dhe perspektiva të reja në fushën e gjuhës, përkthimit dhe interpretimit.
Fakulteti i Filologjisë shpreh mirënjohjen e tij për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Programin Fulbright për mbështetjen e vazhdueshme të bashkëpunimit akademik, shkëmbimit kulturor dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë. Iniciativa të tilla përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik, si dhe në forcimin e lidhjeve dhe partneriteteve ndërkombëtare.