UFAGJ forcon bashkëpunimin ndërkombëtar përmes mobiliteteve Fulbright dhe Peace Corps

UFAGJ forcon bashkëpunimin ndërkombëtar përmes mobiliteteve Fulbright dhe Peace Corps

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ), Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, së bashku me Prorektoren për Ndërkombëtarizim dhe Projekte, Prof. Ass. Dr. Kaltrina Kusari, zhvilluan një takim me dy pjesëmarrës ndërkombëtarë që aktualisht janë duke realizuar mobilitetet e tyre në Universitet: Zsh. Evelyn Jacobsen, një bursiste të programit Fulbright dhe Zt. Ilir Lita, një vullnetar të organizatës Peace Corps.

Takimi shërbeu si mundësi për shkëmbimin e ideve dhe shqyrtimin e nismave dhe projekteve të mundshme që mund të realizohen gjatë qëndrimit të tyre në UFAGJ. Diskutimet u përqendruan në identifikimin e aktiviteteve që do të kontribuonin në avancimin e ndërkombëtarizimit të Universitetit, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe krijimin e mundësive për shkëmbim akademik dhe profesional.

Një ndër nismat e propozuara është organizimi i kurseve të gjuhës angleze për stafin akademik të interesuar për avancimin e njohurive dhe shkathtësive të tyre në këtë gjuhë. Kjo nismë synon të mbështesë stafin akademik në përmirësimin e aftësive komunikuese dhe zgjerimin e mundësive për bashkëpunim ndërkombëtar, angazhim në hulumtime dhe pjesëmarrje në aktivitete akademike.

Takimi rikonfirmoi përkushtimin e UFAGJ-së për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe krijimin e mundësive konkrete për shkëmbim të njohurive, ngritje të kapaciteteve dhe bashkëpunim me studiues dhe organizata ndërkombëtare.

Fotot e lajmit