Fakulteti i Filologjisë zhvilloi trajnim profesional për stafin akademik të programit Gjuhë Angleze – Përkthim dhe Interpretim

Fakulteti i Filologjisë zhvilloi trajnim profesional për stafin akademik të programit Gjuhë Angleze – Përkthim dhe Interpretim

Sot në Fakultetin e Filologjisë u mbajt trajnimi profesional për stafin akademik të programit Gjuhë Angleze – Përkthim dhe Interpretim. Aktiviteti u zhvillua në laboratorin e përkthimit dhe interpretimit, i cili është i pajisur me kabina profesionale të interpretimit, mikrofonë, kufje, sistem transmetimi zanor dhe pajisje digjitale të teknologjisë më të avancuar.

Ky laborator përfaqëson një infrastrukturë unike në nivel universitar në vend, me pajisje që nuk gjenden në ndonjë institucion tjetër të arsimit të lartë, duke ofruar kushte ideale për zhvillimin praktik të orëve të përkthimit dhe interpretimit, në përputhje me standardet ndërkombëtare të kësaj fushe.

Trajnimi u udhëhoq nga z. Arif Kastrati, ekspert i përdorimit të pajisjeve të përkthimit dhe interpretimit nga kompania “Translation Center”, i cili demonstroi në mënyrë praktike funksionimin e sistemit profesional të interpretimit simultan dhe përdorimin e pajisjeve audio në procesin mësimor.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësi të përfshihen në ushtrime praktike me pajisjet e laboratorit dhe të njihen me metodat moderne të interpretimit simultan dhe konsekutiv, të cilat do të zbatohen në mësimdhënien e ardhshme.

Ky aktivitet kishte për qëllim rritjen e kompetencave profesionale të stafit akademik dhe përmirësimin e praktikave të mësimdhënies, duke synuar që studentët e programit Gjuhë Angleze – Përkthim dhe Interpretim të përgatiten në mënyrë sa më cilësore për tregun bashkëkohor të punës në fushën e përkthimit dhe interpretimit.
 

Fotot e lajmit

tp-bottom