Zhvillimi i kompetencave përkthimore nëpërmjet punës praktike në laborator
Studentët e vitit të tretë të programit Përkthim dhe Interpretim në Departamentin e Gjuhës Angleze, në kuadër të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, po zhvillojnë ligjërata praktike në Laboratorin e Përkthimit dhe Interpretimit, në kuadër të lëndës Përkthimi Konsekutiv, e cila udhëhiqet nga Prof. Asoc. Dr. Elsa Vula.
Këto ligjërata kanë për qëllim realizimin e objektivave të lëndës “Përkthimi Konsekutiv”, përmes zhvillimit të aftësive praktike të interpretimit në kohë reale. Studentët ushtrojnë interpretimin nga anglishtja në shqip dhe anasjelltas, duke përdorur pajisje profesionale dhe materiale autentike, si TED Talks, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e dëgjimit aktiv, rrjedhshmërisë së të folurit dhe teknikave të marrjes së shënimeve.
Laboratori i Përkthimit dhe Interpretimit ofron një mjedis bashkëkohor dhe profesional, që simulon situata reale të interpretimit konferencial. Kjo qasje u mundëson studentëve të ndërthurin teorinë me praktikën, duke fituar përvojë të drejtpërdrejtë në fushën e interpretimit konsekutiv dhe duke u përgatitur më mirë për profesionin e ardhshëm të përkthyesit dhe interpretit.